Dje shqiptarët iu (ri)kthyen historisë,një të kaluare të bujshme,por të hidhur.Iu (ri)kthyen “me sy përpara”,jo për ta harruar atë,por për të mos e shijuar të hidhurën e saj.U përballën me pyetjen më të pakëndshme për ta:si “të jetojnë bashkë” të ndarë për gjashtë ?(Ri)kthimi historisë së tyre është vetvetiu një thirrje për ta (ri)shkruar atë,sepse historia e popullit shqiptar pjesërisht ende mbahet “e shkrirë” në historinë e shteteve që sundonin në trojet e tij ose në historinë e marrëdhënieve me popujt e tyre fqinjë.Dje shqiptarët festuan 94 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë,por të cilës Shqipëri: të Shqipërisë së 1912-tës apo të Shqipërisë në të cilën jetojnë sot?Natyrisht se Shqipëria e 1912-tës mbetet objektivi i tyre.

Gjendja me shqiptarët kudo që ndodhen nuk është pa shqetësime.Ajo gjendje është si mungesë e konsolidimit kombëtar.Edhe pse kanë një gjuhë, shqiptarët nuk përdorin një fjalor.Në mungesë të projekteve të përbashkëta,ata i mjaftojnë “vetvetes”.Në mungesë të vizionit për të ardhmen,ngelin “peng i së kaluarës”.  

Politika që bëjnë sot shqiptarët është më shumë e shthurrur se sa e thurrur,më shumë e ndarë dhe e copëtuar se sa e ngjitur dhe e bashkuar,po sikurse që të tilla janë trojet shqiptare.

Është papërgjegjësi të mos bësh atë që duhet të bësh në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur- Detyra të mëdha dhe me  përgjegjësi shtrohen sot për diplomacinë shqiptare.Po qe se ajo deri më dje “ka heshtur” pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të Shqipërisë,këtë nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë edhe sot.Diplomacia shqiptare do të duhej,  në mënyrë aktive, “të përkujdesej” për fatet e shqiptarëve të shkëputur “nga trungu kombëtar”.

Kemi hyrë në një fazë të zhvillimit kombëtar ,në të cilën marrim përgjegjësi të madhe për të ardhmen e kombit.Kushtet dhe rrethanat politike,nga të cilat varet e ardhmja e kombit,janë më shumë të panjohura.Para vetes  kemi mjaft detyra,për të cilat,nuk kemi përcaktuar as përparësitë,as bartësit dhe as afatet, për përmbushjen e tyre.Shkrimet e mia të viteve të fundit dhe të kohëve të fundit si kryefjalë të mendimit kishin çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe të kuptuarit e çështjes shqiptare si një çështje.

 

Në këtë kongres janë shtruar tema me interes për popuj,shtete dhe kombe në Evropën Juglindore gjatë shekujve.Diskurset teorike për këto tema janë të vlefshme dhe ato mund të ndihmojnë dhe, shpresoj se do të ndihmojnë, për të ndriçuar përmasat e proceseve dhe zhvillimeve në Evropën Juglindore.Shqyrtimet për çështjen e Kosovës, të tashmën dhe të ardhmen e saj, veçsa i rrumbullakësojnë ato diskurse,duke pasur parasysh faktin se në udhëkryqet historike nëpër të cilat po kalon sot çështja e Kosovës,e vështruar si dimension integral i çështjes së pazgjidhur shqiptare,vetëvetiu nxiten  persiatjet mendore për të.