Dita që na bashkon
- Details
- Published on Sunday, 27 November 2011 15:47
- Written by Esat Stavileci
- Hits: 190
Sot është ditë që na bashkon, pavarësisht nga ideologjitë, krahinat dhe konfesionet. Sot festojmë 99 vjet të pavarësisë së Shqipërisë, Ditën e Flamurit, një histori të bujshme, por edhe të hidhur të një populli të vuajtur dhe të përndjekur , me gjithë shpalljen e pavarësisë para 99 vjetësh, të cilit popull historia pothuajse asnjëherë “nuk i doli zot”. Historisë duhet t’i kthehemi “me sy përpara”, jo për ta harruar atë, por për të mos e shijuar të hidhurën e saj.
Ne sot festojmë 1912- tën e Shqipërisë Etnike, e cila përfshinte Shqipërinë e sotme, Kosovën dhe Kosovën Lindore, Pollogun dhe Malësinë e Sharrit, Ulqinin dhe Malësinë në Veri dhe Camërinë në Jug. Nuk e festojmë 1912- tën e Konferencës së Londrës që vendosi ndryshe, që për shtet shqiptar njohu vetëm Shqipërinë aktuale. Pra, ne vazhdojmë të festojmë “më shumë mitet se realitetet”. Kur nuk kemi atë që pëlqejmë, sikur” pëlqejmë” atë që kemi!
Përderisa nuk kemi atë që pëlqejmë, gjëja e parë dhe më kryesore që duhet të kuptojmë është ndërvarësia e segmenteve të çështjes shqiptare dhe ndërkushtëzimi i tyre që figurativisht shprehur do të thotë: pa qenë mirë në Shqipëri, nuk do të jetë mirë asgjëkundi me shqiptarët. Duhet të ndryshojmë raportet nëpër të cilat kemi kaluar si botë të ndara. Duhet të nxjerrim mësim nga e kaluara, të vetëndërgjegjësohemi që jo vetëm të mendojmë, por edhe të shprehemi dhe të veprojmë si një komb politik. Konsolidimi kombëtar na duhet më shumë se asnjëherë më parë. Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta. Duhet të funksionojmë si një tërësi kombëtare. Energjinë krijuese do të duhej ta shpenzonim dhe shteronim në rrafshin kombëtar, në projekte mbarëkombëtare, në fushat ku është krijuar hapësirë për veprim të përbashkët.
Pyetja që shtrohet sot është: sa mund “të ecim bashkë” të ndarë në disa shtete? Një gjë duhet ta kemi parasysh: edhe pse ende jemi të ndarë në disa shtete, nuk duhet të na mungojë “qëndresa e përbashkët”.
Konica shkruante me dhimbje se “tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”.
Le të jetë ky urimi për shqiptarët kudo që jetojnë sot.
Le të jetë ky urimi edhe për pushtetarët në Shqipëri që të “mbajnë shtetin”, edhe në Kosovë që të “bëjnë shtetin”.
Me pavarësinë e saj, Kosova sikur “është shkëputur nga tërësia”, por nëse shikojmë “me sy përpara” duhet të kuptojmë se fatet e saj do të varen prej tërësisë, po sikurse që tërësia që do të varet prej Kosovës.
Uroj që Ditën e Flamurit ta kremtojmë bashkë, pavarësisht nga ideologjitë, krahinat dhe konfesionet!
Eshtë ditë që na bashkon!


Esat Stavileci u lind në Gjakovë, më 11 korrik 1942.Në vendlindje, kreu shkollimin fillor dhe të mesëm,ndërsa në Prishtinë,kreu studimet në Fakultetin Juridik, ku dhe u zgjodh për asistent (1965).Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin Juridik të Zagrebit,ndërsa Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimore në Francë, Itali,Holandë dhe Venezuelë.Doktor i shkencave juridike u promovua